Me rastin e ‘Ditës Ndërkombëtare të Paqes’, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe njëherit shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, përgëzoi kampionët e ndërtimit të paqes, nga të gjitha komunitetet e Kosovës, të cilët qëndrojnë kryelartë dhe të bashkuar në dhënien e kontributit për një paqe të qëndrueshme dhe ndërtimin e shpresës për të ardhmen.
“Përkundër narrativeve të ndara dhe vështirësive socio-ekonomike, partnerët tonë vendorë punojnë pa pushim në bashkimin e komuniteteve të Kosovës. Këtë e bëjnë përmes gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për problemet e përbashkëta, duke krijuar kështu miqësi që shkojnë përtej kufijve të përkatësisë etnike dhe konfliktit”, tha shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Sot (21.09.22), UNMIK-u u shprehu mirënjohje kampionëve të ndryshimit, duke sjell disa nga tregimet e tyre, siç janë tregimet e vajzave të reja nga komunitetet dhe komunat e ndryshme, të cilat thyen stereotipet duke u shndërruar në yje të futbollit, një libër dygjuhësh për fëmijë që feston diversitetin dhe veprime kundër ndryshimeve klimatike, fqinjët e komuniteteve të ndryshme që përkrahin njëri-tjetrin, përkundër shqetësimeve të kamotshme, ekipi i vajzave dhe grave që punojnë me të mbijetuarit/at e dhunës seksuale, lidhjet e krijuara mes artistëve, ekipi shumë etnik i astronomëve që ia dha Kosovës observatoriumin e saj pas 35 vitesh, të rinjtë romë që aspirojnë përmirësimin e përfaqësimit në media dhe luftojnë keqinformimin, etj.
‘Dita Ndërkombëtare e Paqes’, tregon rrëfimet e këtyre njerëzve nga mbarë Kosova, të cilët rikonfirmojnë lidhjet e solidaritetit, duke punuar në mënyrë revolucionare për të ndërtuar një Kosovë më të mirë dhe sa më paqësore.