Në qytetin e Gjakovës, është hapur “Panairi i Orientimit në Karrierë” i cili po mirëpret të rinjtë e të gjitha komuniteteve nga kjo komunë. Ky aktivitete është organizuar nga iniciativat “Rinia – E ardhmja” dhe “Dikur ja sheh hajrin”, të udhëhequra nga të rinjtë e Gjakovës, ndërsa është e mbështetur nga Agjencioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) përmes aktivitetit Up to Youth. Në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti, në njoftimin dërguar Radio KFOR-it, ndër të tjera thuhet: “Aktiviteti synon të informojë sa më shumë të rinj rreth orientimit në karrierë, aktiviteteve jashtëshkollore si dhe promovimin e profesioneve që ofrohen nga shkollat profesionale. Pjesëmarrësit dhe nxënësit e klasës së 9-të do të bëjnë xhiro nëpër tezga, ku do të bëhet prezantimi i profesioneve nga shkollat profesionale dhe OJQ-të që punojnë në fushën e rinisë.”
“Panairi i Orientimit në Karrierë” është hapur dje, 23 mars dhe do të vazhdojë edhe në ditën e sotme, 24 mars, ku të rinjtë do të ketë mundësi që të vizitojnë tezgat e orientimit në karrierë në intervalin kohorë 10:00 deri në 17:00.