‘Dita Botërore e Tuberkulozit’ shënohet çdo vit me datën 24 mars, për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës për pasojat e rënda shëndetësore, sociale dhe ekonomike që shkakton sëmundja e tuberkulozit, e cila vazhdon të jetë një nga shkaktarët infektiv vrasës, në të gjithë botën.
“Tuberkulozi është një prej problematikave më të mëdha të shëndetësisë në Kosovë”, kështu tha për Radio KFOR-in, Pulmologu, Dr. Besim Morina, i cili më tutje shtoi: “Në jemi ende një prej vendeve më prevalente të sëmundjes së tuberkulozit dhe kjo po vazhdon me vite edhe përkundër të gjitha masave që ne marrim për diagnostikimin e mëhershëm. Pacientët duhet të vetëdijesohen, se pa marr barna adekuate, nuk shërohet tuberkulozi. Për fat të keq, nëse nuk trajtohet siç duhet ajo mund të çoj në invaliditet të madh të mushkërive si dhe në humbje të jetës.”
Shënimi i ‘Ditës Botërore të Tuberkulozit’ përkon me datën kur Dr. Robert Koch, në vitin 1882, shpalli zbulimin e bakterit që shkakton tuberkulozin, duke hapur rrugën e diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje.