Organizata Joqeveritare ‘AKTIV’, ka ftuar të gjitha grupet studentore dhe rinore të përkatësive etnike që të propozojnë iniciativa të bashkëpunimit rinor, të cilat do të mbështeten përmes projektit të titulluar ‘Transformimi i perceptimeve konfliktuale përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe komunitetit në Kosovë’.
Radio KFOR-i ka kontaktuar menaxherin e projekteve në OJQ ‘AKTIV’, Aleksandar Rapajic, i cili tha se të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të trajtojnë stereotipat ekzistues dhe paragjykimet në Kosovë, mund të aplikojnë në këtë thirrje deri më 15 nëntor, 2020:“Kjo thirrje iu adresohet të gjitha komuniteteve në Kosovë, pavarësisht gjuhës që flasin apo etnisë të cilës i takojnë. Ata mund të aplikojnë në cilëndo gjuhë. Qëllimi ynë është që të thyejmë stereotipat që ekzistojnë mes të rinjve, gjë që përmirëson situatën e përgjithshme mes të gjitha komuniteteve në Kosovë.”
Studentët ftohen që të propozojnë deri në tri iniciativa të bashkëpunimit rinor, që do të mbështeten përmes këtij projekti dhe do të zbatohen nga studentë të rinj dhe anëtarë të Koalicionit të Kosovës për Pajtim. Më pas, do të përzgjidhen iniciativat më të mira dhe do të mbështeten me një grant deri në 5 mijë euro.
Nga OJQ ‘AKTIV’ kanë bërë të ditur se të gjitha propozimet e iniciativës, duhet të përfshijnë një përshkrim të aplikantit, një përmbldhje të projektit si dhe një përshkrim të shkurtër të shpenzimeve të vlerësuara nga aktivitetet. Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen në e-mail adresën: applications@ngoaktiv.org