Policia së Kosovës, konkretisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor, përmes fushatës “Këshilla kryesore si të përgatitemi për ngasje gjatë dimrit!”, apelon tek të gjithë vozitësit që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit për ngasje të sigurt gjatë dimrit, e cila përfshihet nga data 15 nëntor 2020, deri më 15 mars 2021.
Radio KFOR-i kontaktoi drejtorin e Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Nënkolonel, Jeton Rexhepi, i cili tregoi për qëllimin e këtij projekti: “Qëllimi i këtij projekti është vetëdijesimi në vazhdimësi i pjesëmarrësve dhe ngritja e sigurisë në trafikun rrugor gjatë sezonit dimëror, kur temperaturat janë të ulëta dhe mund të hasen vështirësi në qarkullimin rrugor, për shkak të ngricave apo problemeve teknike në automjete.”
Nga data 15 nëntor, të gjithë shoferët do të duhet kenë në makinat e tyre pajisjet dimërore, siç janë zinxhirët, gomat e dimrit, etj., pajisje këto të cilat duhet të mbahen në makinë pavarësisht motit, në të kundërtën parashihen dënime për ngasësit e automjeteve.