Çdo vit, bizneset në gjithë botën humbin nga 700 deri 800 milion dollarë, në datën 13-të, në ditën e premte, pikërisht sepse njerëzit ndihen të frikësuar të dalin dhe të kryejnë punët e tyre të zakonshme. Ka shumë teori rreth asaj se pse njerëzit i frikësohen datës 13, kur ajo i bie të jetë në një ditë të premte!
Disa besojnë se kjo datë ka origjinë nga mitologjia skandinave. Në një histori, perëndia e ligë Loki, thuhet se kishte krijuar trazira në një darkë me 12 të ftuar duke mashtruar perëndinë e verbër Hod, për të vrarë vëllain e tij Balder, zotin e dritës, gëzimit dhe pajtimit. Ndërsa perëndia Loki, ishte mysafiri i 13-të në këtë ngjarje.
Ende në shumë kultura dhe shtete, ekziston besimi se data 13-të që bie në një ditë të premte, sjellë fat të keq. Shumë qytete nuk kanë një rrugë të 13-të, apo në shumë aeroporte, numrat shkojnë nga dymbëdhjetë kalojnë në katërmbëdhjetë, duke tejkaluar numrin 13-të.
Po ashtu, lotaritë shtetërore të Francës dhe Italisë nuk shesin bileta me numrin 13. Frika nga ky numër famëkeq, ka nxitur gjithashtu që shumë ndërtesa të larta nuk kanë një kat të 13-të dhe hotelet shpesh nuk krijojnë një dhomë me këtë numër.
Për ta bërë edhe më të frikshme këtë datë shumë ngjarje botërore katastrofale, kanë ndodhur pikërisht në një të premte të datës 13-të. Një histori tjetër që shpjegon frikën nga kjo datë, është krijuar edhe nga publikimi i romanit ‘Friday the Thirteenth’, në vitin 1907 nga autori Thomas W. Lawson. Besohet se ky roman ka krijuar panik edhe më të madh tek masa, se në këtë ditë mund të ndodhin gjëra të këqija.