Në këto ditë pushimi nga shkolla, të ndikuar nga teknologjia, fëmijët priren që të kalojnë kohë më të gjatë duke luajtur lojëra të ndryshme elektronike dhe çdo ditë e më pak, parapëlqejnë që të argëtohen në ambiente të jashtme. E në raste të tilla, të rekomandueshme janë kampet verore, ku ata mund të kalojnë kohë efektive në mjedise të gjelbëruara dhe të shoqërohen mes vete.
Siç pohojnë ekspertët, kampet verore i ndihmojnë fëmijët të krijojnë miqësi të reja dhe të qëndrueshme dhe i inkurajon ata që të jenë vetvetja, ndikon në rritjen e vetëbesimit të tyre dhe i bën ata të ndjehen të sigurt për të eksploruar potencialet e tyre të vërteta. Ndërtimi i këtij besimi është shumë i rëndësishëm për një fëmijë, veçanërisht me epideminë e bullizmit në shoqërinë e sotme. Prandaj, kampet verore eliminojnë këtë ndrojtje tek fëmijët dhe inkurajojnë autenticitetin në krijimtarinë e tyre, gjë që do t’u nevojitet në botën reale kur të rriten.
Edhe në Kosovë, janë të shumta kampet verore që organizohen, ku çdo vit e më shumë vihet re interesim i madh i fëmijëve, që duan të bëhen pjesë e tyre.