Organizata jo-qeveritare ‘Peer Educators Network’ në Kosovë, në bashkëpunim me donatorë dhe përkrahës të ndryshëm, kanë filluar projektin ‘Clean Water Crisis’ (Kriza e Ujit të Pastër), që ka për qëllim të matë cilësinë e lumenjve të ndryshëm në Kosovë, për cilësinë e tyre të ujit.
Rreth këtij projekti, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me menaxheren e këtij projekti, znj. Sara Sylejmani, e cila tregoi: “Në këtë projekt po marrin pjesë 13 organizata të ndryshme, ndërsa donatore është Qeveria e Suedisë. Në kuadër të këtij projekti, po i realizojmë disa aktivitete të ndryshme për mbrojtjen e ambientit. Një ndër këto aktivitete është edhe kampanja ‘Clean Water Crisis’, nëpërmes së cilës do të sensibilizojmë njerëzit në lidhje me ndotjen e lumenjve, që shkaktohet nga pakujdesia e njerëzve. Faza e parë e kampanjës, që ka filluar këtë javë, fillimisht janë postimet online për implikimet që ndodhin si pasojë e ndotjes së ujërave, pastaj jemi duke mbledhur mostra nëpër lumenjtë e Kosovës, si në Sitnicë, Llap, Lepenc, pra në vendet ku buron uji dhe pastaj i dërgojmë në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, ku eksperti i kësaj fushe, z. Fadil Shala, analizon mostrat në laboratorë dhe pas pranimit, ne do ti publikojmë rezultatet gjatë javës së ardhshme.”
Ky projekt do të vazhdojë edhe me aktivitete të tjera që ka për qëllim, mbrojtjen e ambientit.