13 nëntori i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Mirësisë”, që ka filluar nga Lëvizja Botërorë e Mirësisë, në vitin 1998, për t’u përqafuar nga e mbarë bota më pas. Kjo ditë paraqet mundësinë për të reflektuar mbi një nga parimet më të rëndësishme dhe unifikuese njerëzore – mirësinë. Mirësinë e gjejmë kudo, kur nga vetja e shfaqim atë dhe e ndajmë me të gjithë. Kështu thotë për Radio KFOR-in, aktorja dhe humanistja, njëherit edhe drejtoreshë e Organizatës Joqeveritare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, Edita Dula: “Ne në organizatën tonë mirësinë e shohim kudo, e më së shumti tek puna e madhe e vullnetarëve. Një shembull tjetër i mirësisë janë fëmijët të cilët kanë ardhur në organizatën tonë dhe kanë sjellë kuti të ndryshme të mbushura me lodra, që dikur kanë luajtur me to dhe të njëjtat ia kanë dhuruar bashkëmoshatarëve që janë në nevojë. Veç ndihmës për të tjerët, ne mirësinë mund ta gjejmë kudo, duke nisur nga mbjellja e një fidani në lagjen tonë, që ndikon në të mirë të komunitetit dhe mund të jeni inspirim për të tjerët.”
Në një ditë kushtuar potencialit pozitiv të veprimeve të mëdha dhe të vogla të mirësisë, përpiquni të promovoni dhe shpërndani këtë cilësi thelbësore, që i bën bashkë njerëzit e gjithë botës, pa asnjë dallim.