Në “Kolegjin AAB”, ka dy ditë [nga 4 Nëntori] që ka nisur edicioni i tretë i Festivalit të Teatrove “Prishtina International Theater Festival 2019”.
Edicioni i sivjetmë i këtij Festivali është hapur në teatrin AAB “Faruk Begolli”, në praninë e një numri të madh artistësh, dashamirësh të artit, përfaqësues të tjerë dhe studentë të shumtë.
Drejtoresha artistike e Festivalit, Burbuqe Berisha, tha se gjatë këtij edicioni shikuesit do të kenë mundësi të ndjekin produksione të realizuara teatrore që vijnë nga vende të ndryshme.
“Ky Festival është i vetmi në Kosovë që ka karakter ndërkombëtar. Edhe këtë edicion ka diçka të veçantë në Festival, sepse për herë të parë në konkurrencë të shfaqjeve është edhe Greqia, ndërsa vendet tjera që janë këtë edicion, kanë qenë edhe viteve të kaluara. Edhe këtë edicion kemi shfaqje interesante që mund të jenë edhe provokuese për shikuesit, andaj ju mirëpresim. Në këtë kohën tonë dixhitale, për me ju kthy teatrit është shumë fisnike. Do të shfaqet vlerë e madhe artistike përgjatë këtyre ditëve”, tha Berisha.
Përveç programit ndërkombëtar “Prishtina International Theater Festival 2019”, do të sjellë edhe programin përcjellës në mbrëmjet pas shfaqjeve, ku të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të argëtohen nga bende e artistë të ndryshëm.
Ky Festival do të zgjasë deri të shtunën (9 nëntor), ndërsa në natën e fundit të tij do të shpërblehet aktori/aktorja më të mirë si dhe do të ndahet çmimi për shfaqjen më të mirë.