Me rritjen e temperaturave gjatë stinës së verës, kujdesi ndaj lëkurës duhet të jetë një nga prioritetet tona, për tu mbrojtur nga rrezet e dëmshme të diellit. Megjithëse, Vitamina D që marrim nga rrezet e diellit i duhet trupit tonë, ekspozimi i tepër në diell, mund të shkaktojë djegie.
Rreth mbrojtjes nga dielli gjatë kësaj stine, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me specialistin e sëmundjeve të lëkurës, Dr. Rexhep Morina, i cili theksoi rëndësinë që kanë kremrat me faktorë mbrojtës gjatë verës: “Lëkura si mekanizëm mbrojtës ndaj rrezeve të diellit i ka qelizat që prodhojnë pigment, por kjo nuk do të thotë që qelizat e mbrojnë lëkurën tërësisht nga ndikimi negativ i rrezeve të diellit, prandaj duhet të përdoren kremra me faktorë mbrojtës. Kremrat janë varësisht nga teni i lëkurës, duke filluar nga faktorë 30 apo 50, deri në bllokim total të rrezeve të diellit. Kremrat me faktorë mbrojtës, duhet të përdorën që nga fëmijët e vegjël kur kanë ekspozim në diell dhe të gjitha moshat e tjera.”
Ekspozimi direkt në rreze të diellit, nuk rekomandohet për persona të cilët janë të prekur me sëmundje kronike, gratë shtatzëna apo fëmijët e vegjël, prandaj për këto kategori rekomandohet evitimi i rrezeve të diellit nga ora 10:00 deri në orën 16:00, atëherë kur rrezet ultravjollcë janë më të forta.