Nuk ka njeri të gjithëdijshëm, të gjithë, kush më pak e kush më shumë, kemi nevojë për zgjerimin e dijes, në mënyrë që të përfitojmë nga këshillat që mund të na japin studimet e ndryshme apo edhe individet e caktuar, varësisht spektrit që na intereson.
Specifikisht për këshilla shëndetësore, do të mund të informohen banorët e fshatit Gadime e Epërme dhe rrethina e saj, të cilët këtë të mërkurë (18 shtator), do të mund të jenë përfitues të shumë këshillave shëndetësore,përmes fushatës “Përshëndetje”.
Se çfarë konkretisht përmban kjo fushatë dhe cili është qëllimi i saj, na tregon udhëheqësja e kësaj fushate, Mirlinda Spahija.
“ Kjo ngjarje ofron një qasje të dyfishtë për të përforcuar njohuritë e komunitetit dhe kapacitetet e personelit të “Kujdesit Shëndetësor Parësor “ , përmes të të cilit do të përforcohet drejtpërsëdrejti edukimi shëndetësor i qytetarëve lidhur me sëmundjet jo të transmetueshme dhe mundësinë e parandalimit të sëmundjeve kronike dhe degjerative duke reduktuar rolin e qendrave shëndetësore, në mbështetje të parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve jo të transmetueshme”, theksoi për Radio KFOR-in, znj.Spahija.
Në këtë fushatë do të ketë këshilla rreth ushqimit, duhanit, aktivitetit fizik, alkoolit, do të ketë lojëra dhe argëtim për fëmijë me grupin “Palaço me shokë”, ushqim të shëndetshëm, etj.