“Open Data Kosovo” në bashkëpunim me Fondacionin “ePanstwo”, organizatë kjo që operon në Poloni do të organizojnë edicionin e dytë të konferencës ndërkombëtare mbi të dhënat e hapura dhe iniciativat teknologjike në Kosovë dhe Evropë, titulluar “GOT_Data”.
Kjo konferencë një-ditore që do të mbahet të premten (6 dhjetor), duke filluar nga ora 09:00, do të mbledh organizata joqeveritare nga Evropa, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, me të cilët do të diskutohet për të dhënat e hapura dhe ndikimin e projekteve teknologjike në politikat e vendeve përkatëse.
Në një komunikatë për media, organizatorët kanë njoftuar se kjo konferencë synon të mbledhë mbi 100 pjesëmarrës: ekspertë, përfaqësues të OJQ-ve, aktivistë, zyrtarë të administratës publike dhe publikun më të gjerë të interesuar për këtë temë.
Kjo konferencë do të ketë katër sesione që do të shtjellojnë tema të ndryshme, si prokurimi i bazuar në të dhënat e hapura (Open Contracting), gazetaria e bazuar në të dhëna: mënyra e re për të luftuar keq-informimin?, inteligjenca artificiale dhe politikëbërja, dhe si të krijojmë ura bashkëpunimi me politikëbërësit.
Tutje, organizatorët kanë njoftuar se për të qenë pjesë e kësaj konference duhet të kontaktoni “Open Data Kosovo” në emailin: info@opendatakosovo.org, ndërsa për të mësuar më shumë rreth konferencës, mund të lexoni më shumë në www.got-data.org