3 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Në një ditë të tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kujtojmë se personat me aftësi të kufizuara, në fakt kanë aftësi të shumta. E tëra që duhet të bëjmë është që të sigurohemi që ato aftësi të lulëzojnë dhe të shkëlqejnë me qëllim të realizimit të të gjitha ëndrrave të tyre.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin e HANDIKOS-it, Afrim Maliqin, i cili ka treguar vështirësitë me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.
“Personat me aftësi të kufizuara ende ballafaqohen me vështirësi në integrim, së pari në arsim. Njëkohësisht punësimi i personave me aftësi të kufizuara mbetet ende një sfidë e madhe. Në anën tjetër qasja apo infrastruktura në përgjithësi në Kosovë është ende jashtëzakonisht e vështirë”, tha ai.
Porosia e tij për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it ishte:
“Qytetarët me aftësi të kufizuara janë sikur të gjithë të tjerët, megjithë kufizimet që i kanë e që i përmenda më herët. Duhet të pranohen nga shoqëria si qytetarë të barabartë dhe institucionet vendore kanë përgjegjësi që t’u krijojnë mundësi si në arsim, si në punësim, si në qasje e në të gjitha fushat e tjera, që me të vërtet Kosova të jetë një vend gjithëpërfshirës dhe t’i respektojë të drejtat e qytetarëve të saj”, tha Maliqi.
Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1992, shpalli 3 Dhjetorin Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Konventa e Kombeve të Bashkuara parasheh mundësimin e personave me aftësi të kufizuara që të jetojnë të pavarur dhe të jenë të barabartë me gjithë të tjerët.