Një shoqëri që mbështet dhe inkurajon forma të ndryshme të vullnetarizmit, ka të ngjarë të jetë një shoqëri që promovon mirëqenien e qytetarëve, dhe këtë e bëjnë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët angazhohen në vullnetarizëm për një sërë arsyesh: për të ndihmuar në eliminimin e varfërisë , për të përmirësuar shëndetin dhe arsimin bazë, për të trajtuar çështjet mjedisore, për të zvogëluar rrezikun e fatkeqësive ose për të luftuar përjashtimin social dhe konfliktet e dhunshme. Këto parime i ka edhe altruistja Rina Zeka nga Organizata “Për familjen në nevojë”, e cila në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, ofroi më shumë njohuri për qëllimin konkret të organizatës, për të cilën ajo kontribuon dhe ndjenjën që i ofron të ndihmuarit e njerëzve në nevojë.
“ Fokusi ynë janë fëmijët dhe nënat vetushqyese, sepse fëmijët e kanë tejet të vështirë ta kuptojnë dhe ta pranojnë një realitet të tillë dhe nuk besoj që për një prind është e lehtë ta vë në gjumë fëmijën e tij me barkun bosh. Si në aktivitetet private edhe ato të cilat i publikojmë, tentojmë të jemi shumë konkret, tejet transparent me njëri -tjetrin dhe gjithçka të shkoj në vendin e duhur. Aktivitetet që kemi organizuar pothuajse 10 vjet, më kanë bërë t’i kujtoj ditët e fëmijërisë time. Gëzimin që kam përjetuar në prag të çdo feste kur kemi marr dhurata nga familja, ose ditët e shtatorit kur kemi dalë për blerjen e pajisjeve shkollore. Aty e kupton sa fëmijëri të lumtur kemi kaluar dhe nuk do doja asnjë fëmijë të ketë frikë të ëndërroj. Prandaj, disa herë kam thënë që “babadimri” nuk ka stinë e as kostum. Babadimri je ti, babadimri jam unë, realisht ne jemi ata që mund të bëhemi ‚babadimër i kujtdo, atëherë kur më së paku pret të gëzohet, dhe jo vetëm në festa”, tha Rina.
Kujtojmë se janë më shumë se 1 miliard njerëz vullnetarë në mbarë botën, shumica e të cilëve shërbejnë në vendet e tyre, të cilët luajnë një rol jetik duke ndikuar që organet gjegjëse në mbarë botën të jenë më të përgjegjshme ndaj qytetarëve të tyre.