Policia e Kosovës si një nga institucionet kryesore në vend për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë, në vazhdimësi ka apeluar nëpërmes fushatave vetëdijesuese dhe komunikatave për qytetarët për të qenë të kujdesshëm gjatë pjesëmarrjes në trafik. Policia e Kosovës, edhe kësaj radhe, apelon tek të gjithë shoferët që të jenë të kujdesshëm gjatë këtij sezoni dimëror, duke e ditur se nga data 15 nëntor deri më datën 15 mars, kërkohet që mjetet në qarkullim t’i kenë të gjitha pajisjet dimërore. Në një komunikatë për media, Policia e Kosovës ka kërkuar që të gjithë qytetarët të jenë të vëmendshëm, sidomos gjatë reshjeve të borës: ‘Referuar reshjeve të borës dhe paraqitjes së ngricave nëpër rrugë, krijohet vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, prandaj Policia e Kosovës vazhdon të kërkoj nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet’, thuhet në komunikatë.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur 6 aksidente trafiku me të lënduar, 26 me dëme materiale dhe 1 person ka vdekur si pasojë e aksidentit në trafik.