Të shtunën (më 21 shtator), do të organizohet Dita e Pastrimit të Botës.
Këtë vit dhe vitin tjetër (2019-2020) kjo fushatë globale kundër mbeturinave do të koordinohet nga Kosova, përkatësisht nga ekipi i Organizatës “Let’s Do It Kosova”.
Kjo ditë do të organizohet në më shumë se 157 shtete të ndryshme të botës, shumica prej të cilave janë pjesë e Lëvizjës Globale “Let’s Do It World”, e cila ka bazën në Estoni.
Aktivitetet e 21 shtatorit, në Prishtinë, fillojnë në afërsi të Stadiumit “Fadil Vokrri”, për të vazhduar me aktivitetet e pastrimit edhe në komunat tjera, si: Prizren, Lipjan, Rahovec, Podujevë, Pejë, Drenas, Deçan, Dragash, Kaçanik, Kamenicë, Malishevë, Istog, Junik, Hani i Elezit, Klinë, Mitrovicë, Skenderaj, Viti e të tjera.
“Let’s Do It Kosova” ka ftuar të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në aksionet e pastrimit që organizohen në Kosovë, në mënyrë që të kontribuojnë për një vend më të pastër.
Dita e Pastrimit të Botës organizohet me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për ndotjen masive që po shkakton hedhja e pakontrolluar e mbeturinave vend e pavend.
Këtë vit, kjo ditë përkon me Ditën Ndërkombëtare të Paqes. Andaj, sipas organizatorëve, një botë e pastër është sinonimi më i mirë për një botë paqësore.