Për herë të dytë në Kosovë organizohet “Kongresi Kombëtar i të Rinjve”, që synon të përfshijë të rinjtë e vendit nga komunitetet e ndryshme nga të gjitha rajonet e Kosovës, duke përfshirë ata në vendimmarrje dhe çështje të tjera me rëndësi për rininë.
Radio KFOR-i intervistoi sekretarin e organizatës jo-qeveritare ‘Access’ Detjan Hulaj, i cili tregoi për qëllimin e konferencës, duke përfshirë të dhëna rreth organizimit:
“”Kongresi Kombëtar i të Rinjve” të Kosovës mbahet për herë të dytë këtë vit, më 24 shtator, në ‘Hotel Grand’ në Prishtinë dhe këtë vit është mbështetur nga ‘Friedrich-Ebert-Stiftung’. Qëllimi i kongresit është që të inkurajojë dhe të fuqizojë të rinjtë e Kosovës, duke u siguruar atyre mundësinë që të bëhen qytetarë aktiv, të cilët marrin pjesë në jetën shoqërore”.
Detjani po ashtu tregoi se kongresi është ndërtuar mbi idenë e dëgjimit të zërit të të rinjve. Përmes pjesëmarrjes ata fuqizojnë rolin e tyre në proceset vendimmarrëse për të mirën e përbashkët dhe mirëqenien e përgjithshme të rinisë në Kosovë.
Pjesëmarrësit duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre në email adresën: praktikant@fes-kosovo.org,deri më 20.09.2019.