Në kuadër të ‘Kampanjës së Gastronomisë’, të cilën Radio KFOR-i ia ka dedikuar muajin shtator, sot, 29 shtator, mysafirë në studio, ishin Projekt Menaxher, z. Tanush Vraniqi dhe Catering Menaxher, z. Avni Selimi nga firma Ecolog, e cila përkujdeset që në baza ditore të plotësojnë kërkesat dhe nevojat e kombësive të shumta paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, në kampin ‘Film City”. Projekt Menaxheri, z. Tanush Vraniqi, tregoi se si ja arrijnë që të përmbushin kërkesat e të gjithë atyre që ushqehen në kuzhinë dhe të njëjtit të ndahen çdo herë të kënaqur: “Përgatitja e ushqimit natyrisht që është proces i gjatë, mirëpo falë punës profesionale të 30 kuzhinierëve arrijmë që çdo herë të përmbushim kërkesat dhe nevojat për ushqim. Sa i përket funksionimit, motivimi, përkushtimi dhe disiplina janë çelësi i suksesit në secilën fushë. Ne e kemi një ekip të shkëlqyer dhe të gjitha i realizojmë me punë ekipore.”
Në përbërjen e menysë ushqimore të kuzhinës së Ecolog-ut, çdo racion është ndryshe, kështu tregoi edhe Catering Menaxheri, z. Avni Selimi: “Kohë pas kohë në meny kemi ushqim tradicional, i cili pëlqehet nga ndërkombëtarët. Nga kuzhina jonë dalin 4 racione në ditë dhe është proces i cili patjetër që kërkon kohë, përkushtim dhe madje është edhe i vështirë, mirëpo falë profesionalizmit të stafit tonë ne gjithmonë ia dalim.”
Në mesazhin e tyre, të dy mysafirët tanë bënë thirrje për ushqyerje të shëndetshme: “Ushqehuni mirë, ushqehuni shëndetshëm dhe dëgjoni Radio KFOR-in”, tha z. Selimi.
Bashkë me të ftuarit sot, Radio KFOR-i ka përmbyllur kampanjën e muajit shtator, dedikuar fushës së gastronomisë.