Njësitet e shumta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, kanë qëndruar sot (24 maj), në ambientet e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Shaban Idrizi”, në Zhabar të Mitrovicës. Ky organizim ka ardhur nga bashkëpunimi i Komandës Regjionale Lindore të KFOR-it, gjegjësisht ushtarakëve amerikanë të kampit të Bondsteel. Vetëdijesimi i nxënësve për rrezikshmëri, veçanërisht nga minat, njohja me pajisjet e njësive reaguese në kuadër të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it, bashkëpunimi në mes të akterëve të sigurisë etj., janë vetëm disa prej qëllimeve të këtij aktiviteti. Pjesëtarja e ushtrisë amerikane, LTC Laura Albertson, e pranishme në këtë aktivitet, për Radio KFOR-in tha: “ Pra, sot kemi një lloj panairi arsimor, në partneritet me Policinë e Kosovës. Ne po përpiqemi t’u tregojmë fëmijëve se si punojmë dhe t’i mbështesim ata, çfarë bëjmë ne këtu për komunitetin dhe çfarë bën Policia e Kosovës këtu për komunitetin. Ne, bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës gjatë gjithë kohës, sot këtu kemi shumë ekipe tona, që punojnë me Policinë e Kosovës dhe ne vetëm duam t’u tregojmë fëmijëve dhe studentëve këtë dhe po përpiqemi t’u tregojmë atyre mundësitë që janë këtu, në vendin e tyre, në mënyrë që ata të mos largohen dhe çfarë të mire mund të bëjnë ata këtu. Kjo ka të bëjë me bashkëpunimin dhe ju e dini se puna së bashku, e bën komunitetin tuaj më të mirë.”
Falënderuese për aktivitetin në fjalë, ishte edhe Drejtoresha e SHFMU “Shaban Idrizi”, znj. Saranda Ademi e cila me këtë rast shtoi: “Falënderoj shumë KFOR-in, kampin Bondsteel dhe Policinë e Kosovës, që e kanë përzgjedhur pikërisht shkollën tonë, për të zhvilluar sot këto aktivitete. Mesazhi im është që të ketë më shumë aktivitete të tilla dhe u bëjë thirrje që të pakën një herë në vit, që fëmijët të informohen kundër rreziqeve të ndryshme, si për shembull rreziku ndaj minave.”
Ndërkohë, Kolonel Afërdita Mikullovci, Drejtoreshë Rajonale e Policisë në kuadër të Drejtorisë Rajonal të Policisë Jugu, në Mitrovicë, shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin e vazhdueshëm me KFOR-in: “Sot kemi pjesëmarrës të njësiteve të ndryshme, si K-9, e Deminimit të Mjeteve Eksplozive, po ashtu Zjarrfikësit, Njësiti i Biçikletave, e Motoristëve, Njësiti i Reagimit të Shpejtë, etj. Kemi vendosë që të zhvillojmë këto aktivitete me nxënësit e ciklit të ulët, për të cilët sot, po sjellim mesazh shumëdimensional, ata edhe shohin bashkëpunimin dhe afërsinë e ushtrisë dhe policisë ndaj nxënësve si dhe mësojnë diçka nga ana policore e ushtarake, mësojnë për pajisje tona të njësive të ndryshme, si operojnë etj. Pra kemi qëllim shumëdimensional, si shpalosja e bashkëpunimin në mes të institucioneve të sigurisë, pra Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Këta nxënës sot, njoftohen edhe me ambientin e punës tonë, afërsinë në mes nesh, njihen me pajisjet, njohja nga afër e vet pjesëtarëve të policisë dhe KFOR-it etj.”
Ndërsa, Anjeza Begu nxënëse e klasës së 7-të, u shpreh e lumtur për mundësinë dhe njohuritë që ka fituar nga ky aktivitet: “Kjo sot është një nga aktivitete më të mira që ka ndodhë në shkollën tonë, sepse ne po informohemi për shumë gjëra që më herët nuk i kemi ditur, si pajisjet mbrojtëse të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it si dhe po ndihem mirë që tash po e di se për çka shpërbejnë disa prej këtyre pajisjeve dhe se si përdoren ato.”
Bashkëpunimi i sotëm në mes të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, dëshmon përkushtimin e akterëve të sigurisë, në mbajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt, për të gjithë njerëzit në Kosovë.