Edicioni i nëntë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, do të hapet nesër me datën 25 maj, në orën 18:00, me ekspozitën e titulluar “Gjithë lotët tanë”, ndërsa programi i festivalit do të vazhdojë deri më 28 maj, në disa lokacione të tjera në Beograd. Organizuar nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Iniciativa Qytetare dhe ForumZFD, edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të bashkojë artin dhe kulturën bashkëkohore, me disa nga çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen e shoqërive në Kosovë dhe Serbi.
Rreth rëndësisë së organizimit të këtij festivali, për Radio KFOR-in foli Drejtori i Organizatës Joqeveritare, z. Kushtrim Koliqi: “Pa diskutim, këtë festival e shohim shumë të rëndësishëm marr parasysh që ‘Mirëdita, dobar dan!’, ka mbetur dritarja e vetme dhe shumë e vogël që komunikon, me nivelin që ishin dashtë të komunikojnë të dy shoqëritë, ajo serbe dhe kosovare. Përmes këtij festivali, të dy shoqëritë komunikojnë përmes kulturës, artit, debatit dhe diskutimit të hapur, të sinqertë, të bazuar në fakte, mes njerëzve që i pranojnë realitetet e reja, por njëkohësisht kanë shpresë dhe mundohen të gjejnë hapësirë për bashkëpunim dhe paqe të qëndrueshme.”
Një ngjarje tjetër që do të jetë pjesë e edicionit të këtij viti, e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’, është koncerti i këngëtarit të njohur kosovar, Shpat Deda, i cili do të mbahet më 27 maj, në Qendrën Kulturore Hebreje “Oneg Shabat”, nga ora 21:00.