Në gjithë botën këngët dhe vallet tradicionale hyjnë në trashëgiminë kulturore dhe ruhen e trashëgohen nga brezi në brez. Për ta ruajtur këtë trashëgimi kulturore, në vende të ndryshme të botës organizohen festivale të folklorit.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” këtë vit kishte paraparë që të merrte pjesë në dy festivale të mëdha botërore, në Turqi, në muajin korrik , ku në mesin e shumë ansambleve botërore është shpërblyer me vendin e dytë, si dhe së fundmi në Korenë e Jugut, ku poashtu është shpërblyer me vendin e dytë.
Për të ditur më shumë rreth këtij çmimi, Radio KFOR-i kontaktoi drejtorin e Ansamblit “Shota”, Shefqet Gjocaj:
“Përformancën e parë e kemi pasur më datën 23 shtator, që ka qenë jashtë festivalit, në një qytezë afër Seulit, e cila ka qenë e hapur për publikun. Pastaj më datën 25 ka filluar festivali dhe ka mbaruar më datën 29. Kemi performuar pesë ditë me radhë, për arsye se këtu përveç çmimit të madh, ka disa kategori garuese, gara e vallëzimit individual dhe e çifteve , pastaj është edhe gara e performancës në rrugë/defilesë, ku “Shota” është shpërblyer me një çmim inkurajues.”
Se këngët dhe vallet janë pjesë përbërëse emocionale, shpirtërore dhe kulturore e një populli, e thotë edhe zotëri Gjocaj dhe në fund dha edhe një mesazh për gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it:
“Kultura dhe sporti janë dy segmente të cilat duhet t’i prijnë normalizimit, shoqërimit dhe dashurisë mes njerëzve. Natyrisht që praktikisht përmes kulturës mund të kuptohemi shumë më mirë dhe t’i anashkalojmë dhe t’i kalojmë barrierat.”