Se kafshët kanë një vend të posaçëm në jetët e njerëzve dhe lidhja mes tyre është unike, e dëshmojnë rastet e shumta të përfshirjes së tyre në ambientet shtëpiake, duke u bërë pjesë e familjeve të shumë e shumë njerëzve.
E pikërisht, sot (4 tetor), në mbarë botën shënohet dita e kafshëve, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e njerëzve për padrejtësitë që i bëhen botës shtazore në përgjithësi, por edhe të nxisë organet gjegjëse të respektojnë dispozitat ligjore, për kujdesin dhe mbrojtjen e kafshëve.
Pikërisht për këtë ditë, edhe Pylli i Arinjve Prishtina , organizon aktivitete të ndryshme në ambientet e tij, ku përfshihen shfaqje filmash të shkurtër dokumentar, që prezantohen në një program të planifikuar: 15 ngjashmëritë ndërmjet njerëzve dhe kafshëve, filmi për ariun Tomi, kuiz për fëmije dhe të rritur, maskotat me arinj që fëmijët të bëjnë foto, gjetja e thesarit, etj.
Për të gjitha këto aktivitete, fëmijët do të jenë të liruar nga pagesa, ndërkohë që përmes këtyre aktiviteteve që Pylli i Arinjve Prishtina organizon, kontribuohet në vazhdimësinë e projektit për kujdesin dhe mirëqenien e arinjve të shpëtuar nga tortura dhe robëria.