“Joga na mëson të shërojmë atë që nuk duhet të durojmë dhe të durojmë atë që nuk mund të shërohet”, kjo është njëra prej qindra thënieve dedikuar jogas, praktikës së lashtë, asaj që përfshinë ndryshime pozitive për fizikun, gjendjen mendore dhe shpirtërore. Për të kuptuar se cilat janë përfitimet e praktikës së rregullt të jogës për shëndetin mendor dhe fizik, Radio KFOR-i ka intervistuar trajneren e jogas, znj. Arbresha Maloku, e cila tha: “Praktikimi i rregullt i jogës, na ndihmon në mirëqenien tonë të përgjithshme fizike, duke përfshirë një qarkullim të përmirësuar të gjakut, një zemër më të shëndetshme, një metabolizëm të rregullt, detoks, rritje të kapacitetit të mushkërive, por nga ana tjetër joga na sjell edhe balancim të sistemit nervor, një vetëdije më të lartë ndaj shëndetit mendor dhe menaxhim më të lehtë të stresit, ankthit, sulmeve të panikut dhe depresionit.”
Znj. Arbresha Maloku e cila është edhe themeluese e studios ‘Abbeyoga’, studio kjo ku mbahen orë të jogas, teknikës Pranayama dhe meditimit, na tregoi edhe se cilat janë teknikat për të gjetur qetësi pas një dite të ngarkuar dhe stresuese: “Forma më e mira dhe më e thjeshta për t’u futur në meditim, është vendosja e fokusit tek frymëmarrja dhe ndjekja e çdo frymëmarrje me vëmendje të plotë. Më pas mund të fillojmë të kontrollojmë frymëmarrjen duke e thelluar çdo marrje të frymës dhe ngadalësuar çdo lirim të frymës. Këta hapa mund të na ndihmojnë të ngadalësojmë mendjen dhe futemi në meditim. Nga meditimet mund të praktikojmë mindful meditation, meditim transcendental, meditim të udhëhequr, meditim me një mantra – fjalë përsëritëse, yoga nidra apo gjumë jogik – i cili në kushte shtëpie mund të jetë i udhëhequr nga audio apo video në Youtube, Spotify, etj.”
Në mesazhin e saj, drejtuar të gjithë dëgjuesve të Radio KFOR-it, znj. Arbresha Maloku tha: “Joga që në javët e para, sjell frutat e praktikumit të saj! Ajo me praktikim disa mujor, kthehet në një mënyrë jetese dhe na ofron një ekuilibër midis trupit, mendjes dhe shpirtit, duke na siguruar kështu një mirëqenie mentale, emocionale dhe fizike.”
Prandaj miq, për një mendje të shëndoshë, qetësi shpirtërore dhe fizik të formuar, trajnerja e jogas, znj. Maloku, na këshillon praktiminin e jogas, qysh sot.