Nga data e sotme, 4 tetor, fillon shënimi i “Javës Botërore të Hapësirës” përgjatë të cilës mbahen qindra aktivitete të sektorit të hapësirës. Për të kuptuar qëllimin dhe rëndësinë e shënimit të kësaj jave, Radio KFOR-i ka intervistuar Kryetarin e Klubit Astronomy Outreach of Kosovo, njëherit profesorin e fizikës dhe astronomisë, z. Mialim Rushiti: “Pjesa e astronomisë që është studiuar, është vetëm 0.02% e hapësirës së universit dhe për këtë arsye edhe NASA dhe agjencione të tjera botërore, bëjnë shumë që të mund të studiojnë atë që është më e bukur prej universit, që ne ta dimë prejardhjen dhe ku jemi duke shkuar në të ardhmen. Edhe ne, në Kosovë, jemi duke u marr me vrojtime astronomike, që t’ua mundësojmë të rinjve me pas më shumë qasje në vrojtimin e hapësirës, në mënyrë që të munden ata vet, ta krijojnë një imazh të hapësirës. Deri në kohën kur unë kam qenë student, nuk kemi pas as teleskopë në departamentin e fizikës, ndërsa sot, Kosova i ka mbi 10 teleskop solar dhe dhjetëra të tjerë që janë jo-solar, për vrojtime të natës që përdoren sidomos për galaktika dhe për yjet apo edhe për planete të sistemit tonë diellor.”
“Java Botërore e Hapësirës” shënohet nga data 4 deri më 10 tetor, 2021 dhe ka për qëllim që të frymëzojë brezin e ardhshëm që të merren sa më shumë me sektorin e hapësirës, me theks të veçantë gratë dhe vajzat, prandaj sivjet, kjo javë kremtohet nën temën “Gratë në Hapësirë”.