Ditë më parë, Radio KFOR-i realizoi një intervistë lidhur me gjendjen e dhunës në familje në Kosovë, me Koordinatoren Kundër Dhunës në Familje, Dr. Nita Shala, të cilën mund ta lexoni në vijim:
Radio KFOR: Zonja Nita, ju ishit me neve edhe vitin e kaluar, ku na njoftuat lidhur me gjendjen e dhunës në familje në Kosovë. Për një vit, a kemi ndryshime në lidhje me këtë çështje?
Dr. Shala: Për të kuptuar situatën, për sa i takon dhunës në familje në vendin tonë, është e domosdoshme që ti referohemi të dhënave institucionale. Në këtë aspekt, kemi në dispozicion një data bazë, në të cilën raportojnë të gjitha institucionet përgjegjëse për dhunën në familje, e këto janë: Policia e Kosovës, Mbrojtësit e viktimave, Prokuroria, Gjykatat, punëtorët social e strehimoret dhe të gjitha këto institucione, në baza të rregullta futin të dhëna në data-bazë për sa i takon rasteve të dhunës në familje, çka kuptojmë edhe nga numri i rasteve të raportuara. Për dallim nga viti 2020, vitin e kaluar apo në vitin 2021, janë raportuar 25% më shumë raste të dhunës në familje, çka do të thotë se kemi një trend në rritje të dhunës në familje, por në anën tjetër kemi edhe një rritje në aspektin e raportimit të rasteve të dhunës në familje. Studimet tjera konfirmojnë që përkundër faktit që mund të mos ketë shumë raportime, dhuna në familje është fenomen i përhapur në vendin tonë. Nga intervistat me gra dhe vajza, ato kanë nxjerr në pah faktin që ato subjektivizohen ndaj dhunës, por në të shumtën e rasteve nuk e raportojnë dhunën. Prandaj, do të thosha që në aspektin e asaj se çka kemi ndryshuar nga viti i kaluar, sot do të thosha se ne kemi një numër më të madh të raportimit të rasteve të dhunës në familje, kemi një ndërgjegjësim të shtuar për sa i takon raportimit, si rrjedhojë që edhe ka quar edhe tek shtimi i numrit të rasteve të raportuara. Në anën tjetër kam punuar intensivisht në cilësinë e koordinatores kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, që ti nxis institucionet që të përgjigjen në mënyrë më të drejtë në rastet kur trajtojnë dhunën në familje.
Radio KFOR: Ju punoni pandërprerë në çështjen e dhunës në familje, a mund të na tregoni se çfarë po bëhet sot në lidhje me këtë çështje në Kosovë?
Dr. Shala: Tani një prej arritjeve të vitit të kaluar, ka qenë hartimi i strategjisë për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave. Kjo strategji, është një dokument në të cilin pasqyrohet vizioni dhe politikat, realisht mishërohen politikat për sa i takon parandalimit dhe adresimit të fenomenit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe asaj me baze gjinore. Strategjia në fjalë, është hartuar në bazë të disa konsultimeve me të gjithë akterët përgjegjës ndaj dhunës, për më shumë edhe pas konsultimit me akterët e tjerë dhe publikun e gjerë. Janë pranuar më shumë se 400 komente mbi këtë strategji, gjatë fazës kur ka qenë në konsultim me publikun dhe aktualisht është finalizuar dhe se e njëjta është miratuar, në janar të vitit 2022 dhe përmban 140 aktivitete. Këto 140 aktivitete, synohen që të realizohen brenda 3 viteve të ardhshme, ku rreth 35% e tyre planifikohen që të përfundohen brenda vitit 2022. Realizimi i aktiviteteve në fjalë, konsiderohet se do t’i ndihmojë në përgjigje të drejtë, karshi rasteve të dhunës në familje.
Radio KFOR: Sa jeni të kënaqur me strategjitë, programet dhe aktivitetet tjera për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje?
Dr. Shala: Praktikisht, ne tashmë e kemi prioritet parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe asaj në baza gjinore. Do të thotë ana e mbështetjes politike ekziston, për ti dhënë një zgjidhje fenomenit në fjalë. Në anën tjetër, kodi penal e kriminalizon dhunën në familje, i identifikon llojet e dhunës në familje, mirëpo raportime të pakta kemi për dhunën psikologjike dhe për dhunën ekonomike, kështu që e kemi të domosdoshme që të sqarohen akoma më shumë. Kështu që do të thosha në aspektin e bazës ligjore, ne nuk qëndrojmë keq. Jemi duke ndërmarr hapa që ta rishikojmë ose ta shikojmë se ku ka nevojë të ketë plotësime. Kur të hyjë në fuqi Ligji i Ri për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, do të rishikohen edhe procedurat standarde të veprimit që kanë të bëjnë me veprimet konkrete që duhet ti marr secili institucion përgjegjës, në rastet kur adreson raste të dhunës në familje. Konsideroj që jemi duke ecur me hapa sipas planifikimit, strategjia është miratuar sipas planit, tash çka na mbetet, është realizimit i aktiviteteve të strategjisë dhe pikërisht këto ditë edhe në ditët në vijim, unë jam dhe do jem e angazhuar drejt zbatimit të strategjisë, në të cilën të gjithë akterët kanë propozuar aktivitete dhe i kanë marr përsipër që ti zbatojnë.
Radio KFOR: A mendoni se qasja kundër dhunës në familje është mjaftueshëm e rreptë, posaçërisht në dënimin e autorëve të tij dhe mbrojtjes së viktimave?
Dr. Shala: Për sa i takon legjislacionit, Kodi i ri Penal, që hyri në fuqi nga prilli i 2019-ës, e kriminalizon dhunën në familje, parasheh dënim me gjobë dhe dënim me burgim deri në 3 vite, për këdo që kryen apo që ushtron dhunë fizikë, psikologjike, ekonomike dhe seksuale. Pra, ekziston si vepër penale. Kushdo që kryen apo ndërmerr cilëndo nga format e dhunës, mund të sillet para drejtësisë. Baza ligjore ekziston, thjesht duhet një sensibilizim i shtuar nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve, për ta zbatuar dhe për ta sjellë në jetë këtë bazë ligjore, që e kemi në vendin tonë.
Radio KFOR: Cili do të ishte mesazhi juaj për dëgjuesit e Radio K4-it?
Dr. Shala: Dhuna në përgjithësi, ka të bëjë me mungesë të respektimit të dinjitetit të të tjerëve në një farë forme. Kur mbërrijmë në një stad, që arrijmë që ta pranojmë gjithsecilin ashtu siç është, do të kemi më pak situata të dhunës. Por, në anën tjetër mendoj që është i domosdoshëm një sensibilizim i përgjithshëm për sa i takon gruas, femrës në familjen tonë. Sepse kjo fillon që nga familja, një lloj diskriminimi i vajzës në krahasim me djalin dhe ky është një hap të cilin duhet ta ndërmarrim ose duhet të punojmë gjithsecili, që ta tejkalojmë. Sa më shumë i njohim vlerat vajzave dhe grave, nënave në familjet tona, aq më pak do të kemi tendencën që të ushtrojmë dhunë, në rastet kur kemi kundërshtime me ta. Kjo do të ishte njëra nga mesazhet e mia. E dyta do të ishte realisht raportimi i dhunës ose rëndësia që ta mbajmë një qëndrim të përgjithshëm kundër dhunës, si shoqëri, të mos e pranojmë atë. Jo vetëm në familjen tonë, por as të komshinjtë, as në punë, në vendin tonë të punës ku jemi dhe në një far forme ta ngremë zërin dhe të tregojmë që jemi kundër, në rastet kur shohim se ekziston një situatë dhune. Kjo do të ndihmonte që institucionet përgjegjëse të jenë të informuara dhe institucionet të përgjigjen karshi situatës së dhunës. Në anën tjetër, unë do të punoj fuqishëm, që të bëj që këto institucione të përgjigjen në mënyrë të drejtë, të mos kemi më situata ku përkundër raportimeve, trajtimi nuk është i mirë apo jo korrekt nga ana e institucioneve përgjegjësve, por të jetë e kundërta, pra të kenë një trajtim korrekt dhe të rregullt sipas ligjit por edhe sipas procedurave standarde të veprimit, që janë plotësisht të rregulluara dhe nuk është se lënë shumë hapësirë për manovrim.