Çdo 31 tetor, në mbarë globin shënohet festa e Halloween-it, një ditë kjo që ka rrënjë të lashta dhe origjina ende është e diskutuar. E njohur për kostumet e frikshme, zbukurimet e veçanta, dhe aktivitetet argëtuese, festa e Halloween-it është bërë e dashur për shumë njerëz anembanë botës. Besohet që, kjo festë ishte krijuar nga keltët të cilët jetonin në Irlandë e në Britani të Madhe dhe festohej në fillim të muajit nëntor me emrin Samhain, derisa tani festohet pikërisht në datën e sotme, me 31 tetor. Traditat e Halloween janë një përzierje e zakoneve të lashta dhe atyre moderne. Nëse në kohët e lashtakeltët vishnin maska për t’u fshehur nga shpirtrat, sot kostumet janë kthyer në një pjesë argëtuese të festës, me të rritur dhe fëmijë që vishen si personazhe të frikshëm ose nga bota e filmave dhe librave të fantazisë. Pjesë e traditës së shënimit të Halloween, është edhe vendosja e kungujve të gdhendur me fytyra të frikshme, e njohur si “Jack-o’-lantern,” që është një zakon amerikan që ka filluar rreth shekullit të 19-të.
Sot, Halloween është një festë që mbledh njerëzit së bashku përmes argëtimit, ‘frikës’ dhe atmosferës unike. Kjo ditë është një mundësi për të lënë mënjanë përditshmërinë dhe për të hyrë në botën e fantazisë dhe të misterit, duke u bërë pjesë e një tradite të lashtë dhe mbresëlënëse.







