Për 100 ditë me radhë, Prishtina do të jetë mikëpritëse e një prej aktviteteve më të mëdha ndërkombëtare, “Manifesta” evropiane, e cila mbahet çdo dy vjet, e që kësaj radhe vjen në Prishtinë, për edicionin e saj të 14-të.
Ky edicion do të sjellë 99 pjesëmarrës nga 32 vende të botës, me temën qendrore, rikthimin e hapësirave publike te qytetarët.
Zyrtari për media në ‘Manifesta 14 Prishtina’, Dardan Hoti ka treguar më shumë rreth kësaj ngjarjeje që sjell vëmendjen në Kosovë dhe në veçanti tek artistët tanë: “Përmes Manifestës, artistët vendor do të kenë mundësi të krijojnë lidhje me artistët ndërkombëtar. Gjatë këtij edicioni, do të mirëpresim më shumë se 250 gazetarë nga gazeta, radio dhe televizione nga e gjithë bota, të cilët do të raportojnë për këtë ngjarje. Duke u bazuar në edicionet e kaluara, ‘Manifesta 14 pritet’ që të sjellë në Prishtinë 50-100 mijë vizitorë, e kjo tregon më së miri impaktin ekonomik dhe jo vetëm të këtij aktiviteti. Përveç aspektit ekonomik, Menifesta sjell edhe vëmendje tek Kosova dhe artistët vendor, të cilët do ta kenë më të lehtë të shfaqin potencialin e tyre tek sytë e botës’’.
‘Manifesta Bieneal’ nis me 22.07.2022 dhe aktivitetet e saja do t’i zhvilloj deri më 30.10.2022.