Në dekadat e fundit, fëmijët janë shumë të ekspozuar ndaj teknologjisë. Prandaj, roli i prindërve është shumë i rëndësishëm. Mbikëqyrja prindërore rreth kohës se sa qëndrojnë fëmijët e tyre, para pajisjeve teknologjike, është thelbësore, thonë psikologët. Psikologe dhe Terapiste Stimuluese në Ambulancën Specialistike të Psikologjisë Klinike “Visar A. Sadiku”, Dr. Vlora Fejza, në një intervistë për Radio KFOR-in tregoi dëmin që pësojnë fëmijët, nëse u ekspozohen për një kohë të gjatë pajisjeve teknologjike: “Fëmijë të cilët në moshën e hershme janë ekspozuar ekraneve televizive , në moshat më të vonshme të zhvillimit, kanë tendenca të kenë më shumë probleme në sjellje, të kenë vështirësi në komunikim, të jenë më të tërhequr dhe të krijojnë më pak kontakte me bashkëmoshatarët e tyre, duke mos u përfshirë në aktivitete sociale dhe fizike. Këta fëmijë mund të kenë gjithashtu efekt negativ në performanca akademike.”
Znj. Fejza tregon edhe rekomandimet në mënyrë që fëmijët të jenë më larg teknologjisë: “Është e rekomandueshme që fëmijët nga mosha 0-6 vjeç, të mësojnë përmes lojës. Loja është mënyra kryesore e të nxënit në fëmijërinë e hershme. Fëmijët e vegjël, nxënë më mirë nëpërmjet përvojave personale dhe metodave multi-sensoriale të mësimdhënies, që nxisin ndjenjat e tyre natyralë të kuriozitetit. Loja, në të gjitha format e saj, paraqet mundësi të pafundme për ndërveprimin e fëmijëve me njerëzit dhe objektet, në situata reale dhe imagjinare.”
“Gjëja më e bukur e fëmijërisë janë lojërat, ato të vërtetat në ajër të pastër, me lëvizje e zbulime, ku fëmijët vrapojnë, bien, bëhen pis, qeshin dhe qajnë”, tha gjithashtu Dr. Fejza, duke numëruar edhe të mirat që sjellë loja në natyrë: “Do i numëroja disa nga dobitë e lojës në natyrë, si p.sh. ndihmon në rritjen e krijimtarisë së fëmijës, përmirëson përqendrimin, garanton një ekuilibër në zhvillimin fizik, ndihmon në lidhjen shoqërore dhe në aktivitetet në grup, rrit disiplinën ndaj vetes dhe rregullimin e tij.
Ekspozimi i tepruar i fëmijëve ndaj teknologjisë, është një nga brengat dhe problemet më të mëdha të shoqërive sot.