Humbja e babait në vitin 2003, e ka shtyrë, qytetarin nga fshati Greme i Ferizajt, z. Milazim Ibishi, që të jetë dhurues vullnetar i gjakut çdo vit. Që nga ajo kohë, ai është bërë një nga dhuruesit vullnetar më të mëdhenj të gjakut.
Z.Milazim Ibishi, i cili është shembulli që duhet ta ndjekim të gjithë, në një intervistë për Radio KFOR-in ka treguar motivin që e ka shtyrë të jetë dhurues i vazhdueshëm i gjakut: “Kam filluar të dhuroj gjak në dhjetorin e vitit 2003, babai i ndjerë ka qenë i shtrirë në spital, i janë dashur tre doza gjaku pas operimit, por për fat të keq, nuk ka pasur doza të mjaftueshme, për këtë arsye është dashtë që unë të jem dhurues gjaku me dy dhurues të tjerë, të cilët është dashtë me i gjete, meqë ka pas mungesë të dozave të gjakut. Prandaj nga ai vit, kam vendosë që të jem dhurues i vazhdueshëm i gjakut, pasi kjo shpëton jetë. ‘Dhuro gjak, shpëto jetë’, ky është slogani i çdo dite, andaj i ftoj të gjithë qytetarët që të jenë dhurues gjaku, pasi klinikat vazhdimisht kanë nevojë për gjak.”
Sipas statistikave botëror, çdo dy sekonda një pacient ka nevojë për transfuzion të gjakut, prandaj bëhuni hero i dikujt që ka nevojë për ju!