Festat e fundvitit janë një periudhë që e gëzon çdo gjeneratë. Mirëpo, një pjesë e rëndësishme e këtyre festave, janë padyshim edhe dekoret e ndryshme në qendra, sheshe e gjithashtu edhe shtëpitë tona.
Dekorimet për festat e fundvitit nuk kanë ndonjë ligj të shkruar sesi duhet të dekorojmë, por megjithatë janë disa trende të cilat i ndjekim të gjithë. Rreth dekorimeve për festa, Radio KFOR-i ka folur me organizatoren e eventeve në Grand Décor, Shemsije Dermakue, cila tha: “Çdo vit i ka trendet dhe ngjyrat e veta, por gjithherë në dekor, pavarësisht trendit, duhet të përshtatemi me interierin ku do ta bësh dekorin, sepse sado që një ngjyrë është trend, sërish mund të mos përshtatet me ambientin. Trendi i dekorimeve po përhapet çdo vit e më shumë, në fakt që nga viti i kaluar, procesi i dekorimeve ka filluar qysh në muajin nëntor, ndoshta sepse njerëzit u lodhën nga lajmet për pandeminë dhe kishin dëshirë të sjellin festë shumë më herët në shtëpitë e tyre. Edhe këtë vit kërkesat për dekore janë duke u shtuar, por për fat të keq çmimet janë dyfishuar, kjo ka ndodhur sepse aksesorët që përdoren për dekor janë shumë të shtrenjta.”
Shfrytëzojeni edhe këtë pjesë të vitit, për të shpërndarë dashuri tek njerëzit tuaj të afërt dhe mos harroni të reflektoni me veten tuaj, shumë shpejt nisin edhe fillimet e reja.