Freskinë gjatë këtyre temperaturave të larta në vendin tonë, na e sjellin aktivitete e ngjarje shumë interesante kulturore. Radio KFOR-i do të ndaj me ju disa nga këto ngjarje kulturore:
– Festivali ‘Meeting of Styles Kosova’, po rikthehet për të 7-tin vit radhazi, për të bërë atë që e bën më së miri: kapërcimin e të gjitha llojeve të kufijve përmes një dashurie të përbashkët, për artin e rrugës. Shtëpia e 100+ artistëve të talentuar dhe 100 vullnetarëve, do të rikthejë gjallërinë në jetën e kryeqytetit, përgjatë datave 28-30 korrik, me temën e këtij viti ‘MEETING OF STYLES KOSOVO CRITICAL MASS’.
– ArtFest ju fton në edicionin e tretë të ArtFest-it, një festival multikulturor që beson në fuqinë e artit për të sfiduar normat dhe për të ndezur imagjinatën. Përmes konceptit të utopisë, ky edicion fton të gjithë të eksplorojnë mundësi të pafundme përmes shprehjeve të ndryshme artistike. ArtFest do të mbahet në hapësirat e jashtme publike të Qendrës Zejtare, në Mitrovicë, në datat 28-30 korrik, 2023.
– Të enjten, më 27 korrik, në orën 19:00, shtëpia botuese “Dukagjini” do të organizoj promovimin e librit “Dashuri dhe Pedagogji” të Miguel de Unamunos. “Dashuri dhe Pedagogji” është një libër për dashurinë, shkencën, filozofinë, besimin, e shumë tema të tjera që e prekin qenien njerëzore në thelbin e saj. Për librin do të flasin shkrimtari Gëzim Aliu dhe përkthyesja e librit, Orjela Stafasani, ndërsa do të lexohen edhe fragmente shumë interesante nga shkrimtari dhe aktori, Shpëtim Selmani.
– Ky vit do të njihet padyshim si vit i festivaleve, e ai radhës do të jetë edhe ‘Beer and Wine Festival’, që vjen me shumë stil, përgjatë datave 4, 5 dhe 6 gusht, në platonë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.