Qendra kulturore ‘Akropoli i Ri’, fton të gjithë të interesuarit në kursin e filozofisë ku do të ofrojnë mësime, se si të balanconi ndjenjat, mendimet dhe veprimet, të njihni dhe përmirësoni pikat tuaja të forta, të mendoni për veten tuaj dhe të zgjidhni lirshëm, të zhvilloni aftësinë për të zotëruar veten tuaj. Ky kurs, do të nis sot (26.10.2023) dhe do të zgjasë tre muaj. Trajnimet do të mbahen në hapësirat e qendrës kulturore ‘Akropoli i Ri’, në rrugën Zejnel Hajdini, në Prishtinë.
Në ‘Galerinë Qahili’, vjen aktiviteti i radhës, i emërtuar “Udhëtojmë” një ekspozitë kjo, diskutim dhe promovim. Në kuadër të aktivitetit “Udhëtojmë”, do të organizohet ekspozita me punime dhe ilustrime të artistit Zamir Mati, piktor i merituar, diskutim nga arkeologu i fjalës shqipe në shkrime prehistorike të Mesdheut, Ilir Mati dhe në mënyrë paralele, promovim post-mortum i librit të shkrimtarit Kiço Blushit, “Beni ecën vetë”. Ngjarja vjen sot (26 tetor), nga ora 17:00.
Me datë 28 tetor, do të mbahet ‘Konferenca për Lidership – 2023’. Nën titullin ‘Lidershipi për Kohëra Sfiduese’, kjo konferencë ka për qëllim të bëjë bashkë pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë, të cilët do të mësojnë më shumë nga përvoja e liderëve të ndryshëm, për sfidat me të cilat janë duke u përballur dhe me mënyrat se si janë duke i adresuar këto sfida në mënyrë efektive. Pjesëmarrja mund të bëhet edhe me prezencë fizike në Kampus të UBT-së, në Lipjan dhe online.
Është “Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës” (Association of Fruits and Vegetable Processors of Kosovo), të cilët po e organizojnë edicionin e 3-të të Forumit të Sektorit të Ushqimit. Forumi do të mbahet me datën 1 nëntor, në hapësirat e Hotel Emerald, nga ora 09:30 deri në orën 17:00.