Gjatë stinës së vjeshtës, në të cilën gjendemi, është e rëndësishme të sigurojmë një ushqim të balancuar që përmban vitamina dhe minerale të nevojshme, për të ruajtur shëndetin tonë. Kjo, do të na ndihmonte të përballemi me ndryshimet e klimës dhe të forcojmë sistemin imunitar. Prandaj, lidhur me këtë çështje kemi kontaktuar Dr. Hevzi Ademaj, i cili për Radio KFOR-in tha: “Me ardhjen e vjeshtës, moti bëhet gradualisht më i lagësht dhe me i ftohtë, fillon sezoni i ftohjeve, prandaj vjen edhe ndjenja e parehatisë për shumicën e pacientëve, për fëmijë dhe të rritur. Për të kaluar këtë stinë sa më mirë, ne duhet të marrim vitaminën C nga pemët dhe perimet e shumta, sidomos nga specat, limoni, xhenxhefili, etj. Pastaj, është vitamina D, e cila zakonisht mungon gjatë ditëve të vjeshtës, pastaj vitamina B, Omega 3 dhe pro biotikët natyral nga kosi dhe produktet tjera të qumështit, për të pasur sistemin tretës më të mirë dhe ndjenjën e shtuar të rahatisë.”
Mos harroni që kujdesi për marrjen e vitaminave dhe mineraleve nga burime natyrale dhe të ushqimeve të freskëta, është gjithmonë i preferuar përpara shtesave ushqimore. Nëse keni nevojë, konsultohuni gjithashtu me një mjek ose nutricionist për të siguruar sasinë e duhur dhe nevojat e duhura të vitaminave, për të qëndruar më të shëndetshëm përgjatë stinës së vjeshtës.