Kjo javë na vjen me shumë mundësi për të përcjellë aktivitete kulturore nga muzika, filmi e piktura. Radio KFOR-i do të ndaj me ju vetëm disa nga ngjarjet më interesante që mund ti ndiqni gjatë kësaj jave:
Opera e Kosovës në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës do të prezantojnë premierën e operës “Goca e Kaçanikut”, nga Rauf Dhomi. ‘Goca e Kaçanikut’ del në skenë për herë të parë në Prishtinë, pas krijimit të saj, më shumë se gjysmë shekulli më parë. Premiera shfaqet më 23 shkurt, në sallën AMC, Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë.
Me prejardhje nga Austria e veriut, në kryeqytet pritet të vijnë grupi VxPxOxAxAxWxAxMxC , ata do të kombinojnë zhanret grind & death me tinguj unik. Ky grup ka performuar në të gjithë Evropën, duke ndarë skena me grupe të ndryshme. Gjatë kësaj nate do të keni mundësi të shijoni performanca edhe nga grupet vendore, si: Solar Flare, Krømma, Nuclear Doom. Kjo ngjarje do të mbahet në ambientet e Defy Them, këtë të shtunë (24.02.24), me fillim nga ora 20:00.
Në hapësirat e Teatrit të Qytetit në Gjilan, në kuadër të projektit “Diversity as the value of society” (Diversiteti si vlerë e shoqërisë) po mbahet një ekspozitë me piktura, të cilat janë pikturuar nga artistë të rinj të Gjilanit, të cilët përmes kreativitetit po shfaqin bashkëjetesën e komuniteteve në Komunën e Gjilanit. Ekspozita është e hapur sot (20.02.24), nga ora 12:00 deri në ora 15:00.
Filmi nga Kosova “Toka brenda meje”, që hapi edicionin e fundit të PriFilm Fest, do të shfaqet për herë të parë në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Filmi do të shfaqet në tre data, 22, 23 dhe 24 shkurt, duke filluar nga ora 19:00! Biletat mund ti gjeni në Kino Jusuf Gërvalla, çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në ora 17:00!