Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është shënuar zyrtarisht nga ‘Kombet e Bashkuara’ në vitin 1985, për të festuar fuqinë dhe potencialin e vullnetarizmit.
Në këtë ditë vullnetarët dhe organizatat vullnetare ngrisin zërin për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të fituar mirëkuptimin për kontributin që ata japin për komunitetet e tyre.
Zyrtari për komunikim media dhe marrëdhënie me publik, Armend Shala, nga organizata ‘Kryqi i Kuq i Kosovës’, tregoi për rëndësinë e kësaj ditë, duke treguar për aktivitetet që kanë organizuar:
“Vet emri vullnetarizëm, ka rëndësinë e vetë që tregon që njerëzit e vullnetit të mirë të ofrojnë kohën dhe energjinë e tyre, në organizata të ndryshme pa interes. Prandaj, 5 dhjetori shënohet për të gëzuar sukseset dhe falënderimet e vullnetarëve në mbarë botën. Në këtë ditë do të jemi në 26 komuna të Kosovës, aty ku kemi degët e organizatës sonë dhe vullnetarët e organizatës tonë do të mbajnë ligjërata nëpër shkolla të mesme mbi temën e vullnetarizmit”.
Armendi kishte edhe një mesazh për të gjithë njerëzit në Kosovë, duke ftuar të gjithë të ndihmojnë vullnetarisht në organizata të ndryshme pasi që mundësia për të ndihmuar dikë apo përmirësuar jetën e dikujt është shumë domethënëse.
Çdo vit, miliona njerëz vullnetarisht ndajnë kohën dhe aftësitë e tyre, për të ndihmuar në mënyra të ndryshme, duke e bërë botën një vend më të mirë.