“Radio KFOR-i ka qenë zëri dhe shpirti i misionit të KFOR-it në Kosovë, një zë që ka dërguar mesazhe paqeje, rindërtimi dhe shprese”, ky ishte përshkrimi që Komandanti i KFOR-it, gjeneral Michele Risi, ia bëri punës 20 vjeçare të Radio KFOR-it me rastin e shënimit të 20 vjetorit.
Më 6 dhjetor u bënë 20 vite që kur Radio KFOR-i nisi transmetimin, për t’u shndërruar në zë të paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës multietnike mes të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Ceremonia e 20 vjetorit nisi me zbulimin e monumentit të Radio KFOR-it, inaugurimin e ndërtesës së re me studiot moderne dhe lansimin e aplikacioneve mobile të Radios, të cilat janë krijuar për të qenë sa më afër dëgjuesve.
Në një ambient të ngrohtë, bashkë me përkrahës, miq e bashkëpunëtorë të shumtë të Radio KFOR-it ndër vite, u lanësua kështu edhe kënga njëherit edhe himni i Radio KFOR-it, kompozuar nga Leonard Canhasi, këngë kjo e cila u këndua për herë të parë nga dy vajza të reja, të cilat vijnë nga komuniteti shqiptar dhe serb, Klesta Qehaja dhe Stefana Nikolcevic. Përmes kësaj kënge, u pasqyruan më së miri shtyllat kryesore të misionit të Radio KFOR-it ndër vite, si paqja, toleranca dhe bashkëjetesa.
Menaxherja e Radio KFOR-it, Emina Hyseni Shala, premtoi se stafi i kësaj radioje do të vazhdojë të punojë fort edhe në të ardhmen dhe se do të vazhdojnë të jenë zëri i fuqishëm i misionit të KFOR-it për paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë.
Të pranishëm për të shënuar këtë ditë ishte edhe Dalibor Spasic ndryshe i njohur edhe si DJ Dhaka, i cili na tregoi se si ndihet në këtë ceremoni: “Jam këtu për herë të parë dhe jam i emocionuar nga ky organizim. Dua t’ju përgëzoj për ditëlindjen tuaj, ju uroj më shumë shfaqje, më shumë shoqëri me artistë dhe dëshiroj t’ju tregoj të rinjve se paqja dhe dashuria janë parësore, ato lidhin gjithçka.”
Në ceremoninë e 20 vjetorit u ndanë edhe shumë shpërblime për qytetarë nga komuniteti shqiptar dhe ai serb, të cilët u bënë pjesë e lojës shpërblyese në aktivitetin “Road Show”, të cilët ishin edhe prezent në ceremoninë e 20 vjetorit të themelimit të radios dhe me këtë rast njëri ndër fituesit ishte Avdi Ademi cili tha:
“Unë kam fituar një smartphone, për çka falendëroj shumë radio tuaj dhe ju them që të vazhdoni kështu. Ne të gjithë shqiptarë e serbë jemi qytetarë të Kosovës, andaj duhet t’i respektojmë të gjithë. Ne do të vazhdojmë t’ju dëgjojmë”.
Bashkëpunëtorët e shumtë të Radio KFOR-it, u shprehën mirënjohës për bashkëpunimin korrekt ndër vite, e kjo ishte edhe drejtoresha e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, e cila në këtë ceremoni u shpreh:
“Dua t’ju falendëroj për ftesën, por edhe për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me Radio KFOR-in. Unë ju uroj punë të mbarë dhe ju them vazhdoni me këtë punë profesionale, me një vullnet të jashtëzakonshëm për t’i shërbyer opinionit me të gjitha zhvillimet, por edhe me të gjitha aktivitetet që zhvillon në Kosovë për paqe dhe integrimin e të gjitha personave nga komunitetet e ndryshme në Kosovë”.
Pjesë e pandarë e Radio KFOR-it janë edhe dëgjuesit e shumtë, të cilët shoqërohen me ne në çdo moment të ditës. Njëri ndër ta është edhe Alko Abazi, i cili tha: “Vetëm vazhdoni, keni dashuri shumë të madhe nga të gjithë dëgjuesit”.
I pranishëm në këtë festë të Radio KFOR-it ishte Drejtori Teknik i Organizatës Rinore, Synergy nga Mitrovica, Miodrag Dancetovic i cili u shpreh: ‘Jam mysafir për herë të dytë në Radio KFOR dhe unë dua që ju të këmbëngulni dhe të jeni edhe më të dëgjuar, të lëshoni muzikë të mirë, pasi unë jam dëgjuesi juaj i vjetër dhe ju kam dëgjuar për mbi 15 vjet, kështu që unë dua që ju të vazhdoni me të njëjtin ritëm.”
Me një mision paqëruajtës: “Nga transmetimi i valëve në një kamion të vogël, në një ndërtesë moderne”, kjo është storia e suksesit të Radio KFOR-it përgjatë këtyre 20 viteve.