Programi i mëngjesit, në Radio KFOR sot, përveç tjerash, vëmendje i kushtoi edhe njërës prej konferencave më të mëdha të teknologjisë në rajon ‘Growth Tank’, përmes bisedës së zhvilluar në studio me Drejtorin Kreativ të Agjencisë Dixhitale të Marketingut ‘Growzilas’, z. Bind Reka.
“Ky është edicioni i dytë, i cili mbledh ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, të cilët ndajnë përvojat e tyre si folës në panele, me tema të ndryshme brenda konferencës. Duke marrë parasysh trendin e punësimit, i cili po ndryshon me ritëm të shpejtë viteve të fundit, profesionet e marketingut dixhital, janë ndër të parat në listën e profesioneve më të kërkuara në botë. Prandaj, kjo konferencë mendohet të jetë një ngjarje e cila do të edukoj rininë lidhur me trendet e fundit që po ndodhin në botë, sa i përket fushës së marketingut dixhital. Disa nga temat të cilat do të trajtohen në këtë edicion, janë: Programmatic Advertising, Content Revolution, Social media as a Growth Accelerator, E-commerce Marketing dhe Boost growth through Social Media”, nënvizoi mes tjerash z. Reka.
Sipas tij, kjo konferencë do të jetë e hapur për të gjitha komunitetet, për të gjithë të interesuarit, pa pagesë. Pjesëmarrës në këtë ngjarje, që nis nesër, më 30 qershor, do të jenë emra të njohur ndërkombëtar të fushës së marketingut dixhital, të cilët do të jenë në Kosovë, për të ndarë përvojat e tyre në vendet prej nga vijnë.