“Shpejtësia VRET!”, është një nga shumë sloganet e Policisë së Kosovës, të cilat kanë për qëllim vetëdijesimin e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Megjithatë, shoferët kosovarë, po vazhdojnë që të shkelin rregullat e komunikacionit, ndër to edhe kufizimin e shpejtësisë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha në një prononcim për Radio KFOR-in ka thënë: “Njësitet policore po monitorojnë trafikun rrugor dhe ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë rregullat në trafik, në veçanti ndaj atyre që nuk iu përmbahen shenjave të kufizimit të shpejtësisë, po aplikohen masa rigoroze ligjore dhe do të aplikohen në vazhdimësi. Që nga fillimi i muajit qershor (2022), e deri më 19 qershor, për kundërvajtje “Mos respektimi i shpejtësisë së kufizuar”, janë shqiptuar gjithsej 14.027 gjoba, apo 43.45% nga numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve për këtë periudhë kohore.”
Z.Hoxha gjithashtu apeloi tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit: “Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë drejtuesit e automjeteve që gjatë drejtimit të automjeteve të jenë më të kujdesshëm, të respektojnë shenjat e kufizimit të shpejtësisë në trafik. Pasojat që shkakton tejkalimi i shpejtësisë, janë të pariparueshme sepse ‘shpejtësia vret’. Ruajeni jetën tuaj, ruani jetën e pjesëmarrësve të tjerë në trafik, mos u bëni pjesë e statistikave sepse jeta është e shenjtë.”
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.