Sot (29.06.22), CIMIC-u (Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak) i KFOR-it, u dhuroi pajisje të ndryshme elektronike SH.F.M.U “Kajtaz Ramadani”, në Stapanicë, komuna e Malishevës. Ky donacion arrin vlerën prej 3.750 euro dhe do të ndihmojë nxënësit e kësaj shkollë për një arsimim më cilësor.
Në ceremoninë e dorëzimit të këtij donacioni, në emër të KFOR-it, nga Swiss LMT në Malishevë, foli pjesëtarja e KFOR-it, PTE Toja Rauch: “Po bëjmë një donacion të pajisjeve elektronike për shkollën e Stapanicës. Është shumë e rëndësishme që këtyre shkollave, veçanërisht nxënësve, t’u mundësohet përdorimi i pajisjeve elektronike, përderisa po shkojmë drejt modernizimit. Është e rëndësishme t’u japim atyre mundësinë për të qenë në trend, në një botë që po zhvillohet gjithnjë e më shumë dhe është shumë e rëndësishme që ne të ndihmojmë në këto çështje.”
Nga ky donacion do të përfitojnë nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle, që deri më sot duhej të punonin me mjete të përbashkëta në bashkëpunim me shkolla të tjera.
Falënderues ndaj KFOR-it, për këtë donacion u shpreh edhe drejtori i kësaj shkolle, z. Bedri Toplana, i cili për Radio KFOR-in tha: “Jam shumë i lumtur për këtë donacion, sepse është ndihma e parë për shkollën e Stapanicës. Është një donacion shumë i rëndësishëm, sepse kemi pasur shumë nevojë për mjete të tilla, sepse deri më tani, ne kemi punuar me mjete të përbashkëta, me paralelet tjera në Kijevë. Me këto mjete që i morëm sot, nxënësit do të rrisin cilësitë mësimore. Bashkëpunimi ynë me KFOR-in është shumë i rëndësishëm dhe e falënderoj KFOR-in, për këto ndihma që do të ndikojnë në avancim të fëmijëve.”
Me projekte e donacione të ngjashme të realizuara për të gjitha komunitetet, pa dallim, trupat paqeruajtëse të KFOR-it, po e dëshmojnë përkushtimin e tyre për sigurimin e një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë, për të gjithë në Kosovë.