Komuna e Prishtinës, organizata “Shtatëmbëdhjetë”, Fondacioni Trashëgimia pa Kufij (CHëB) dhe Qendra Multimedia.kanë nënshkruar dje (06.08.2019) një marrëveshje për revitalizimin e objektit të braktisur, në lagjen e Kacallarëve, në Prishtinë.
“Marrëveshja përveç revitalizimit të vetë objektit, parasheh edhe shndërrimin e këtij objekti në hapësirë shumëfunksionale dhe Qendër të Artit për komunitetin, ku edhe do të ofrohen programe vjetore në fushën e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore e aktivizimit qytetar”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Prishtinës.
Sipas një përshkrimi të shkurtër që i është bërë kësaj ngjarjeje, ky objekt gjendet në njërën prej lagjeve më të vjetra të Prishtinës dhe thuhet se është ndërtuar në shekullin e kaluar nga Shyqri Begu.