Edhe fillimi i muajit shkurt, do na sjellë ngjarje të ndryshme kulturore, që priten të zhvillohen në vendin tonë.
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, do të organizohet edicioni i 14-të i ekspozitës ndërkombëtare Çmimi “Muslim Mulliqi”, me kurator Christian Mosar dhe Raimund Stecker. Ekspozita do të hapet me datën 01 shkurt, në ora 19:00. Disa nga artistët pjesëmarrës janë: Bianca Baierl, Artan Balaj, Avdi Hajdari, Driton Hajredini, Faton Mazreku, Agron Mulliqi, Alket Zeqiri dhe artistë të tjerë.
Me 3 shkurt, duke filluar nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, do të mbahet ‘International Kosova Clarinet Fest’, që këtë vit shënon edicionin e tretë. Disa nga klarinistët që do të përformojnë janë Roman Widaszek, Blerim Emerllahu dhe Malbora Krajku nën shoqërimin e pianistes Lirika Pula.
Ende nuk është bërë e ditur se kur do të nisë edicioni i tretë i Festivalit të Letërsisë ZaNa! Megjithatë, organizatorët kanë njoftuar se kanë filluar përgatitjet edhe për edicionin e këtij viti, që do të mbahet në Mitrovicë dhe do të ketë një gamë të larmishme aktivitetesh, duke përfshirë punëtori për shkrim kreativ, punëtori për multimedia, ngjarje të poezisë, mbrëmje muzikore, shfaqje filmash dhe ekspozita.
Këto, janë vetëm disa nga aktivitetet që pritet të zhvillohet përgjatë fillimit të muajit shkurt, 2023 në Kosovë.