Shtatë herë fitues i Ligës së Kampionëve, trofeut më emblematik në botën e futbollit, vjen për herë të parë në Kosovë, për të zhvilluar ndeshje miqësore me kampionin aktual të Kosovës, “FC Feronikeli”.
“AC Milan” që sezonin e kaluar u mjaftua me vendin e 5-të në tabelën e Seria A, këtë sezon po synon të luftojë për një pozitë që i garanton pjesmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Në ndeshjet parasezonale, ekipi nga qyteti i modës, zhvilloi ndeshje miqësore me ekipe si “Bayern Munchen” e “Manchester United”, kurse përballja me “FC Feronikel” do të jetë një ndeshje përmbyllëse e ndeshjeve parasezonale.
Një befasi tjetër për të gjithë fansat e futbollit në Kosovë vjen direkt nga Italia, bëhet fjalë për Kupën e Ligës së Kampionëve të cilën fansat mund ta shohin në hapjen e “Fans Zone”, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Organizatorët i kanë dhënë fansave dy mundësi për blerje të biletave, online dhe blerje fizike, çmimi i tyre fillon nga 15 deri në 89 Euro. Shitja e biletave bëhet në Sheshin e Prishtinës si dhe ne qytetin e Vushtrrisë përballe “Shtëpisë së Kulturës”.
Kjo përballje mes “FC Feronikel” dhe gjigantit Italian “AC Milan” do të zhvillohet më datë 10 gusht (e shtunë), me fillim nga ora 20:45 në Stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Vlen theksuar se Radio KFOR-i, gjatë ditës së sotme, shpërbleu dëgjuesit e saj me bileta falas, për këtë ndeshje të interesante.