Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jashtë saj, çdo 10 gusht festohet një ditë shumë specifike, një ditë që mund të shënohet edhe pa u ngritur fare nga shtrati, është kjo Dita Dembele.
Nëse po punoni shumë për të planifikuar festimet tuaja të kësaj dite, atëherë po e bëni gabim, ngase qëllimi i saj është që të qëndroni në shtrat pa bërë absolutisht asgjë.
Kjo ditë mund të shërbejë si justifikim për të marrë pushim nga puna dhe për ta shijuar kohën e çmuar me veten, pa u ndjerë fajtor për të.
Por në fakt, këtë ditë nuk mund ta festoj Blerta Bordoniqi Rexhaj, për të cilën pushimi është lluks.
“Dikur, për të tjerët thonim, sa dinamike e kanë jetën, s’kanë kohë për askë e për asgjë, ndërsa sot, ne jemi bërë të tillë. Duke qenë edhe nënë dhe e punësuar, njëkohësisht edhe e zënë me punët e shtëpisë, si çdo grua tjetër, me beso që nuk më mjaftojnë 24. S’paskam dëgju ndonjëherë për këtë ditë, po kushdo që e ka shpikë, paska mendu shumë mirë, se bash kam nevojë për me shiju ndonjë kafe, pa gajle, pa strese e angazhime. Kisha provu me e festu, po e kam të pamundur”, shprehet e zhgënjyer Blerta.
Themeluesit e Ditës dembele nuk dihen, ndoshta sepse ata ishin shumë të zënë me nxitimin për të mbajtur të dhënat e përpjekjeve të tyre, por sidoqoftë ideja e tyre është kapur dhe mirëpritur nga të gjithë, sepse secili prej nesh sot, ka nevojë që të paktën për një ditë të largohet nga stresi dhe përditshmëria.
Prandaj, në përputhje me emërtimin që i është dhënë kësaj dite dhe qëllimit të saj, i bie që të paktën sot, të mos shqetësoheni për punën, obligimet stresuese ditore, por të shtriheni, të shijoni atë filmin apo librin tuaj të preferuar, me pijen freskuese pranë.