Universiteti i Prishtinës ka hapur aplikimet për afatin e dytë të regjistrimit në Programin e Ballkanistikës. Kandidatët mund të aplikojnë nga data 28 gusht deri më 5 shtator, 2026.
Programi i Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë është një program i ri trevjeçar Bachelor, me 180 ECTS kredi, i hapur për studentë nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në kuadër të programit, studentët kanë mundësi të studiojnë krahas gjuhës shqipe edhe një gjuhe ballkanike, si boshnjake, serbe, kroate ose malazeze si dhe kanë mundësi të mësojnë ndonjërën nga gjuhët bullgare, greke, maqedonase apo rumune së bashku me një gjuhë të huaj.
Programi kombinon studimin e gjuhëve me përkthimin, interpretimin, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor, duke u ofruar studentëve edhe mundësi për praktikë profesionale.
Pas përfundimit të studimeve, të diplomuarit mund të ndërtojnë karrierë në mësimdhënie, përkthim e interpretim, media, diplomaci, sektorin publik, me organizatat joqeveritare si dhe në fusha që lidhen me kulturën dhe çështjet rajonale.
Një tjetër mundësi për studentët janë programet e mobilitetit Erasmus+ dhe CEEPUS, vizitat studimore dhe bashkëpunimi me universitete në Evropë dhe Ballkan.
Programi është akredituar këtë vit dhe është riorganizuar si program trevjeçar. Provimi pranues përbëhet nga dy teste gjuhësore, në shqip dhe në një gjuhë ballkanike, të cilat synojnë kryesisht të përcaktojnë nivelin gjuhësor të kandidatit.
Aplikimet janë të hapura deri më 5 shtator 2026, online dhe fizikisht.
Për më shumë informata, ndiqni Programin e Ballkanistikës në Instagram: balkanisticsprogram
Zgjidh Ballkanistikën – mëso gjuhë, kupto kultura dhe ndërto ura ndërmjet komuniteteve të Ballkanit.







