Në shumë komunitete rurale, gratë janë në qendër të jetës së përditshme: punojnë në bujqësi, kujdesen për familjet, kontribuojnë në ekonominë lokale dhe luajnë rol të rëndësishëm në sigurimin e ushqimit. Data 15 tetor, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Grave Rurale’, ku vëmendja përqendrohet te kontributi i grave që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale dhe tek sfidat me të cilat përballen ato.
Puna e tyre shpesh është thelbësore për funksionimin e familjeve dhe komuniteteve, por mundësitë për arsimim, kujdes shëndetësor, punësim dhe qasje në burime financiare nuk janë gjithmonë të barabarta. Mbështetja e grave rurale ka rëndësi jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për zhvillimin e komuniteteve. Kur gratë kanë më shumë mundësi për arsimim, punësim dhe përfshirje ekonomike, ato mund të kontribuojnë më fuqishëm në zhvillimin e familjeve dhe zonave ku jetojnë.
Nga toka bujqësore te bizneset lokale dhe nga kujdesi për familjen te ruajtja e traditave, kontributi i grave rurale shtrihet në shumë fusha të jetës.







