Prishtina do të jetë sërish në qendër të vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar të vallëzimit me edicionin e dytë të ‘Prishtina Dance Festival’, i cili do të mbahet në datat 4, 5 dhe 6 shtator, në Klan Arena.
Festivali këtë vit vjen në një format më të zgjeruar, duke mbledhur 32 artistë ndërkombëtarë, tri skena dhe rreth 13 stile të ndryshme të vallëzimit. Artistët do të performojnë, por gjithashtu do të zhvillojnë workshope dhe klasa për pjesëmarrësit e të gjitha moshave dhe niveleve. Organizatorët, përmes Love and Dance, synojnë që Prishtinën ta shndërrojnë në një pikëtakim për valltarë, instruktorë dhe adhurues të kërcimit nga Kosova, rajoni, diaspora dhe vende të ndryshme të Evropës.
Organizator i festivalit, z. Rron Haxhiislami, thotë se një prej veçantive të këtij edicioni është rikthimi në Kosovë i artistëve shqiptarë të diasporës, disa prej të cilëve nuk kanë qenë në Prishtinë prej më shumë se 15 vitesh.
Programi përfshin 13 stile të vallëzimit, ndër to Salsa, Bachata, Kizomba, Cha Cha, Rumba, Afro Cuban, Dancehall, Afro Mambo, Son Cubano, Reggaeton, Afrobeats, Mambo dhe Boogaloo.







