Data e sotme (22.11.22), do të mbetet gjithmonë një datë e kobshme për artistët, për familjen, shoqërinë, miqtë dhe dashamirët e njërit prej fotografëve/artistëve më të mirë që kishim, z. Naim D. Shala. Përveç veprave të shumta artistike, të shkrepura përmes aparatit të tij fotografik, ai na la shumë kujtime të bukura, përmes së cilave, artisti ynë, Naim D. Shala, do të jetojë përgjithmonë mes nesh. Përveç familjarëve, të cilëve diti tu ofrojë aq shumë dashuri z. Naim, kishte hapësirë të mjaftueshme në zemrën e tij të madhe edhe për miqtë dhe kolegët e tij në KFOR, me të cilët i kaloi më shumë se 20 vite karrierë.
Kujtojmë që fotografi i njohur, z. Naim Shala, karrierën e tij artistike e ka nisur që në rininë e tij të hershme, fillimisht vetëm si pasion ndaj këtij arti, për ta zhvilluar më vonë profesionalisht, duke u bërë njëri prej figurave më të ndritshëm të shkrepjes së artit, ku puna e tij artistike u vlerësua në ngjarje të shumta kulturore në vend dhe jashtë vendit. Z. Naim D. Shala lindi më 12 tetor, të vitit 1954 dhe pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë sot (22.11.22).
Të gjithë kolegët në KFOR, do të kujtojnë përherë këshillat dhe zemërgjerësinë tënde, z. Naim D. Shala si dhe shprehjen tënde të zakonshme ‘Mos harroni me jetue, o njerëz të mirë!’.
Pusho i qetë!