Televizioni është media e komunikimit masiv dhe është një nga shpikjet më të rëndësishme të shekullit të njëzetë. Roli kryesor i televizionit është të informojë, argëtojë dhe edukojë publikun për çështje të rëndësishme, në interes të jetës së gjithë shoqërisë. Shpikësi skocez, John Baird krijoi transmetimin e parë të drejtpërdrejtë të kësaj medie, në vitin 1926, megjithatë Philo Farnsworth, në vitin 1927, mori zyrtarisht patentën për regjistrimin e televizorit të parë elektronik dhe e quajti ‘Dissector Image’ (Imazh i disektorit).
Për të nderuar, këtë shpikje të madhe njerëzore, data e sotme, 21 nëntori, shënon ‘Ditën Botërore të Televizionit’, që shënohet nga viti 1996 nga Kombet e Bashkuara. Rreth kësaj dite, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me producentin dhe gazetarin e televizionit ‘T7’, z. Amir Mjeku, i cili tregoi për rëndësinë e kësaj medie por edhe sfidat që bart puna në televizion: “Padyshim se televizioni gjithmonë do ta ketë rëndësinë dhe peshën e vet. Gjithsesi, duhet pranuar që për momentin ky medium nuk është në periudhën e tij më të artë, tregu ka ndryshuar shumë dhe në këtë kanë ndikuar dukshëm rrjetet sociale. Sot, është goxha sfidë të punosh në televizion dhe kjo po ndodh pikërisht në këto vitet e fundit. Unë tash e 15 vite punoj në televizion dhe mund të them se ndryshime të mëdha kanë ndodhur gjatë këtyre viteve. Unë ju uroj të gjithë kolegëve këtë ditë dhe vazhdoj të mendoj se me gjithë këto ndryshime, njerëzit do të kenë nevojë për televizion, do të kenë nevojë për të vërtetën!”
Shënimi i kësaj dite, këtë vit do të përqendrohen në mënyrën se si televizioni tërheq vëmendjen e shikuesve me argëtim cilësor, çështjet shoqërore, ngjarjet me vlerë dhe aspekte të tjera.