Gjeneratë pas gjenerate, ushqimet tradicionale përveç që sjellin shijen unike, bartin me vete edhe kulturën e një shoqërie si dhe të kujtimeve tona të fëmijërisë. Në kuadër të kampanjës së Gastronomisë në Radio KFOR, sot kishim të ftuar kuzhinieren e njohur të ushqimeve tradicionale znj. Hyla Pllana, e cila për më shumë se një dekadë, është bërë sinonim i ushqimeve të shijshme tradicionale në vend.
Për dëgjuesit e Radio KFOR-it, ajo ndau rrugëtimin e saj si sipërmarrëse dhe kuzhiniere dhe fillimet e saja në përgatitjen e ushqimeve tradicionale: “Gjithmonë kam pasur pasion gatimin e brumërave dhe familja ime i pëlqente shumë ato. Fillimisht përgatisja bakllavanë në hapësirat e apartamentit tim, pastaj përgatisja fli, mantia dhe ushqime të tjera tradicionale. Pas një kohe, e hapa një dyqan të vogël dhe kështu gradualisht zgjerova biznesin tim. Gjithçka që përgatis e bëj me shumë kujdes dhe dashuri të madhe. Flija është një nga ushqimet që merr më së shumti kohë në përgatitje dhe është nga ushqimet më të kërkuara.”
Mesazhi i zonjës Hylë, për dëgjuesit e Radio KFOR-it ishte që të mos harrojmë traditën e përgatitjes së ushqimeve tradicionale, jo vetëm për shijen që kanë por edhe për shkak të rëndësisë së ruajtjes së vlerave të traditës sonë.